Sot mbushen 19 vjet që është ndarë nga jeta aktori i mirënjohur Aleko Prodani. Nderim dhe respekt për figurën e tij!
Aleko Prodani (1938-2006). Lindi në Korçë, më 19 maj. Kreu shkollën e mesme pedagogjike në vitin 1956. Punoi mësues në fshatin Moglicë. Nisi të aktivizohet qysh në vitin 1956, kryesisht në qytetin e Maliqit me grupin amator të teatrit dhe të estradës.
Ishte ndër aktoret themelues të Estradës Profesioniste të Korçës. Më vonë punoi për pak kohë në Estradën e Ushtarit, pastaj rishtazi u kthye në trupën e Estradës së Korçës dhe aty u afirmua si aktori më i shquar i saj, me një profil të patjetërsueshëm artistik.
I shkathët, me fantazi, energjik, i përshtatshëm ndaj rrjedhës së pritur të ngjarjeve dhe thyerjeve të veprimit skenik, po ashtu improvizues, organik dhe i atypëratyshëm në raport me partnerin, nga ana tjetër ai është dalluar edhe për sensin e hollë të lojës, ku spikat aftësia dhe qasja e tij vetëdemaskuese kundrejt personazheve.
Kishte dhunti të mira vokale si kupletist e parodist. A. Prodani ka njëmendësuar qindra role në gjinitë e shkurtra të humorit, si komedia me një akt, skeçi, parodia, dialogu, monologu, pantonomia etj. Realizoi me sens të holle komik rolin e Zylo Kamberit në një shfaqje variete me po këtë emër të Estradës së Korçës, si dhe në një cikël televiziv.
Ka marrë çmimin “Aktori më i mirë” në Festivalin e Estradave në Gjirokastër (1978), sikurse edhe në atë të Tiranës (1994). Krahas morisë së roleve ne estradë, luajti mblesin Sofo te koemdia “Nje nuse për Stasin” e Teodor Laços dhe në vitin 2001 realizoi me cilësi të lartë rolin e Thimaqit në komedinë “Zonjusha 39 vjeçe” e Saqellarsit.
Me rolin e Dhorit në komedinë “O deputet, o gënjeshtar”, e Dhimitër Psathait, atë të Kishotit në komedinë “Hajdutët shkojnë në DP” e Dario Fo-së, si dhe Andrean në komedinë “Hipokritët” të K. Papadhopulos, fitoi çmimin e “Aktorit më të mirë të komedisë” në Festivalin e Aktorit “Apollon” në Fier, përkatësisht në vitet 2002, 2004 dhe 2005.
A. Prodani ishte një nga aktorët humoristë shqiptarë me individualitete të qarte e të papërsëritshëm; elegant, i pastër, fin. Bëri një lojë të kulturuar, pa banalizime e vulgarizime. Shfrytëzoi me efikasitet të plotë situatën komike ku ndodhet personazhi, duke operuar me një përshtatshmëri aktoriale të lakmuar dhe duke e veshur sjelljen e këtij personazhi me një mori hollësish, detajesh e gjetjesh komike të mprehta.
Aleko Prodani ndërroi jetë në skenë më 2 maj 2006, duke interpretuar rolin e Aldos në komedinë “Tre burra për një grua” të Dario Fo-së. Mbante titullin “Artist i merituar”.
@followers See less